Federata ruse e futbollit nuk largohet nga UEFA
Federata ruse e futbollit, të paktën për momentin, ka vendosur që t’i japë fund kërcënimeve për t’u larguar nga UEFA, pas përjashtimit nga të gjitha kompeticionet europiane të të gjithë klubeve dhe përjashtimit të skuadrës kombëtare nga turnetë kontinental, si shenjë embargoje për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Federata ruse e futbollit ka votuar në unanimitet kundër transferimit në konfederatën aziatike (kishte kohë që kërcënonte se do të merrte një hap të tillë), duke vendosur që të mos largohet nga UEFA.
“Votuam kundër largimit nga UEFA në unanimitet, sepse nuk ka garanci nga ana e FIFA-s për të pranuar një ndryshim të tillë. Transferimi tek AFC do të kishte shumë pasoja financiare për klubet ruse. Vendosëm që të vazhdojmë në UEFA, për të diskutuar një rikthim të klubeve ruse në kompeticionet europiane (Champions League, Europa League, Europa Conference League) dhe të Rusisë në turnetë kontinentalë”, ka thënë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës ruse, Mikhail Guershkovitch.