FC 2 Korriku U19 vulos kualifikimin historik në UEFA, Ademi: Tjetër natë magjike për futbollin e Kosovës
FC 2 Korriku U19 ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në UEFA Youth League, duke siguruar kualifikimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Pas triumfit 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra nga Prishtina arriti tjetër fitore të merituar 3:1 në përballjen e kthimit kundër ekipit irlandez, UCD nga Dublini, në kuadër të rrethit të dytë.
Ky rezultat e dërgon FC 2 Korrikun në mesin e dhjetë skuadrave më të mira të Domestic Champions Path të UEFA Youth League, një arritje e jashtëzakonshme që pasqyron talentin dhe punën e palodhshme që po zhvillohet në futbollin kosovar.
Dy gola për FC 2 Korrikun në këtë ndeshje i shënoi Rin Ahmeti, derisa me një gol kontribuoi Omer Shala.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përgëzoi futbollistët, trajnerët dhe drejtuesit e klubit për këtë arritje të madhe. Në urimin e tij, në rrjetet sociale ai shprehu krenarinë për paraqitjen e ekipit dhe uroi suksese të mëtejshme në këtë rrugëtim.
“Urimet më të përzemërta për FC 2 Korriku!
Tjetër festë, tjetër natë magjike për futbollin e Kosovës në UEFA Youth League.
Pas fitores 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi U19 i FC 2 Korrikut realizoi fitore edhe në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kundër skuadrës irlandeze, UCD nga Dublini, me rezultat 3:1, duke vulosur suksesin historik për klubin dhe futbollin tonë me kualifikimin në mesin e dhjetë skuadrave më të mira të Domestic Champions Path në UEFA Youth League.
Ky sukses është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm në vendin tonë dhe konfirmim i punës së shkëlqyeshme me gjeneratat e reja në klubin kryeqytetas.
Përgëzoj futbollistët e rinj të FC 2 Korrikut për paraqitjen e jashtëzakonshme dhe prezantimin e denjë të futbollit tonë në këtë nivel të garave evropiane.
Me këtë sukses ata na bënë krenarë të gjithëve. Urime edhe për stafin e trajnerëve dhe drejtuesit e klubit.
Urime e ju priftë e mbara tutje!
Vazhdoni të na bëni krenarë”, ka shkruar Ademi.