Favori për favor: E përzgjodhi drejtoreshën, Naim Gashit i punësohet bashkëshortja në AIP

Favori për favor: E përzgjodhi drejtoreshën, Naim Gashit i punësohet bashkëshortja në AIP

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se si drejtues të lartë institucionesh dyshohet se janë implikuar në një raport shpagimi favoresh për qëllime të punësimeve të të preferuarve dhe familjarëve të tyre.

Diçka për diçka. Kështu përkufizohen në terma të thjeshtë marrëdhëniet e ndërtuara për shkëmbimin e favoreve ndërmjet dy palëve.

Zakonisht këto marrëdhënie të shlyerjes së favoreve hasen në klane rrugësh.

Por, kjo praktikë dyshohet se ka zënë vend në institucionet e rëndësishme publike në vend.

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se si drejtues të lartë institucionesh dyshohet se janë implikuar në një raport të tillë shpagimi favoresh për qëllime të punësimeve të të preferuarve dhe familjarëve të tyre.

Shtatë muaj pasi bashkëshorti i saj Naim Gashi luajti rol kyç në përzgjedhjen e drejtoreshës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), bashkëshortja e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) është punësuar në agjenci.

Lumturie Gashi është punësuar në agjenci pasi bashkëshorti i saj Naim Gashi dyshohet se i ka kryer një favor drejtuesve të këtij institucioni.

Bëhet fjalë për dy procese të ndara të punësimit në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), një organi të pavarur shtetëror të mandatuar për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gashi, i emëruar nga Komisionerja Krenare Sogojeva-Dërmaku në krye të një komisioni pranues për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të AIP-ut, ka arritur t’i jap epilog një procesi që ishte përsëritur katër herë.

Paparaci, përmes qasjes në dokumente publike, e ka siguruar vendimin e Komisioneres së AIP-it për emërimin e Naim Gashit në krye të komisionit.

Vendimi për emërimin e Gashit dhe anëtarëve të tjerë të komisionit, dyshohet se është i kundërligjshëm. Është fuqizuar pa e anuluar komisionin paraprak, ad-hoc, për të njëjtin proces.

Share This