FAQEBARDHË

FAQEBARDHË

“FAQEBARDHË!”, ka shkruar në “Facebook” Talat Xhaferi pas dorëzimit të detyrës së kryeministrit te pasardhësi, Hristijan Mickoski.

Xhaferi ka thënë se vendimi që Maqedonia e Veriut të ketë një kryeministër shqiptar, shkroi një ardhmëri të re, ndryshe, më progresive dhe më evropiane për shtetin.

Ai ka bërë me dije se tash do të ushtrojë funksionin e deputetit.

“Në ditën e fundit të punës si Kryeministër, detyrimisht rikujtoj vizionin dhe kauzën e kryetarit Ali Ahmeti për kryeministrin e parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vendim i cili shkroi një ardhmëri të re, ndryshe, më progresive dhe më evropiane për shtetin tonë. Vendim i cili dëshmoi se puna, përkushtimi dhe rezultatet në favor të të gjithë qytetarëve i tejkalojnë interesin partiak, etnikumin, politikën ditore dhe stuhitë javore. Faleminderit për gjithë mbështetjen dhe profesionalizimin e të gjithëve përreth meje. Shkruam histori, mbetet që gjeneratat më të reja ta vazhdojnë dhe përsosin. Deri në momentet e ardhshme historike për shtetin tonë, qëndroj i përkushtuar në funksionin e deputetit”, ka shkruar Talat Xhaferi.

Share This