“Faji im”, Ancelotti: Pësuam gola fotokopje, mbrojtja problem
Reali i Madridit u mund 3-1 në derbin e së dielës kundër Atleticos, me “Los Blancos” që morën një “shuplakë” të fortë nga djemtë e Diego Simeones pas nisjes pozitive të sezonit.
Pas humbjes së parë sezonale, trajneri Carlo Ancelotti doli në konferencën për shtypin i zhgënjyer nga ajo që skuadra e tij dha në fushën e lojës, ndërsa në anën tjetër mori përgjegjësinë për këtë humbje. Që i kushtoi dhe vendin e parë në renditjen e La Ligas.
“Tre golat e pësuar ishin fotokopje me njëri-tjetrin, kjo për shkak se qendërmbrojtësit nuk ishin vendosur mirë në zonë. Diferencën e bëri dhe fakti se Atletico është një nga skuadrat më të mira në mbrojtje.
Janë shumë të fortë në duele dhe është e vështirë që të gjesh hapësira kundër tyre. Problemi në këtë ndeshje ishte mbrojtja, jo sulmi. Marrja e përgjegjësisë është minimumi.
Unë e pranoj se është faji im. Ne tentuam shumë deri në momentin që pësuam golin e tretë. Moment kur gjithçka përfundoi. E përsëris: nuk e kishim problemin tek sulmi në këtë ndeshje”.