Evropiani i organizuar nga Shqipëria dhe Serbia, ia pamundëson Kosovës pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian?
Një deklaratë e dhënë sot nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, se kanë aplikuar që së bashku me Serbinë për të organizuar Kampionatin Evropian për U21 në vitin 2027, ka ngjallur shumë pakënaqësi në opinionin kosovar, por edhe në Shqipëri.
Kjo edhe më të drejtë pasi Shqipëria assesi nuk është dashur ta anashkalojë Kosovën, por është dashur bashkërisht të aplikojnë për organizimin e një ngjarjeje kaq të madhe, shkruan Ballkani.info.
“Në 2027 ne jemi vend kandidat për organizimin e Kampionatit Europian për 21-vjeçarët. Duke qenë se ne nuk mund të plotësojmë kushtet që të kemi një Kampionat Evropian vetëm ne në Shqipëri, pasi duhen 8 stadiume minimalisht. Ne jemi bashkuar me Serbinë për të organizuar së bashku këtë kampionat në Shqipëri dhe në Serbi. Padyshim që kjo do një angazhim të madh jo vetëm të Federatave të Futbollit, por edhe të qeverive. Duhet të krijojmë disa komunikime, disa lehtësira dhe të bëjmë të mundur diçka të tillë. Fillimisht duhet ta fitojmë këtë të drejtë dhe e dyta ta organizojmë. Debatet që do të krijohen pas kësaj? Unë mendoj se ky është një lajm i mirë për futbollin shqiptarë dhe atë serb. Në fund të fundit ne nëpërmjet sportit të krijojmë dhe të kemi një jetë më të mirë”, ka thënë Duka.
Një gjë tjetër që e dëmton maksimalisht Kosovën është fakti se sipas vendimit të FIFA-s e UEFA-s, Kosova nuk mund të luajë ndeshje ndërkombëtare me Serbinë, Rusinë dhe Bosnjë Hercegovinën.
Pra nëse Evropiani organizohet në Shqipëri dhe Serbi, Kosova rrezikon të mos marrë pjesë në kualifikime, pasi nuk ka drejtë as të luajë në territorin e tri vendeve të përmendura.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar sot ashpër Tifozët Kuqezi, të cilët kanë kërkuar nga Armand Duka që mos të anashkalojë Kosovën assesi dhe për organizime të përbashkëta duhet të merret pikërisht Kosova.
“Lajmet për organizimin e Kampionatit Evropian të Shpresave (U21) 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Evropian. Në të njëjtat raportime te lajmit shkruhet se Serbisë “mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë”.
Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar. Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të përfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kane luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqësore sportive.
Duke qenë se shpesh dhe me të drejtë sporti përdoret për të promovuar paqe, bashkëpunimin, mirëkuptim dhe shpresë do të duhej fallciteti, fasada, propaganda dhe në rastin më të mirë PR-i të organizohej dhe t’i “shiteshin” publikut pak më profesionalisht. Kështu që mirë do të ishte FSHF të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë U21 Euro 2027 së bashku me Maqedoninë e Veriut, apo me Malin e Zi? Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, s’kemi pse kapërcejmë Kosovën për ti dhënë ndihmë Serbisë.
“1 Komb 1 Kombëtare 1 Kampionat Shqiptar”, kanë shkruar Tifozët Kuqezi në Facebook, duke e kundërshtuar këtë ide të Dukës.
Të kujtojmë se muaj me parë Kosovës në boks iu pamundësua pjesëmarrja në kampionatin Botëror të organizuar në Serbi kjo pasi shteti serb nuk lejoi hyrjen e sportistëve në territorin tyre, andaj shumë lehtë mund të ndodhe njëjta gjë edhe për Kombëtaren e Kosovës në futboll dhe këtë situatë është dashur numri një i futbollit shqiptar ta ketë parasysh.