Europa League, spektakël dhe llogari të hapura në gjysmëfinalet e para
Europa League premton shumë emocione e spektakël me ndeshjet e para gjysmëfinale, në program mbrëmjen e kësaj të enjteje me dy sfida intriguese që do të transmetohen drejtpërsëdrejti në ekranin e “SuperSport”.
Shumë ambicie dhe llogari të hapura në Roma-Bayer Leverkusen.
Të dyja skuadrat u përballën dhe vitin e kaluar në gjysmëfinale ku ata që kaluan turin ishin “verdhekuqtë” pas fitores 1-0 në shtëpi dhe barazimit pa gola në sfidën e kthimit. Gjithsesi shumë gjëra kanë ndryshuar që atë herë, kur Roma drejtohej nga mjeshtri i kompeticioneve të “knock-outit” Jose Mourinho, i cili u shkarkua këtë sezon duke i lënë vendin De Rossit, që ka marrë një seri fantastike rezultatesh pozitive duke ndryshuar dhe stilin e lojës.
Në të njëjtën kohë Leverkusen këtë sezon u konfirmua si surpriza më e madhe në kampionatet elitare të Europës, duke thyer hegjemoninë e Bayern Munich me titullin kampion në Bundesliga në një sezon të jashtëzakonshëm ku “aspirinat” e Xabi Alonso nuk kanë humbur asnjë nga 46 ndeshjet e fundit. Një seri vertët e jashtëzakonshme.
Në të njëjtën kohë luhet Marseille-Atalanta me francezët që duket se japin më të mirën në Europë dhe premtojnë sërish të njëjtën gjë dhe në Bergamo. Marseilles iu desh lotaria e 11-metërshave për të kaluar Benfican në çerekfinale me trajnerin Jean-Lous Gasset të detyruar të fuste lojtarë të rinj pas një serie dëmtimesh që kishte kushtëzuar një seri prej 5 humbjesh për skuadrën e tij. I ardhur në stol Gasset është trajneri i tretë i Marseilles këtë sezon, pas Marcelino Garcia Toral dhe Gennaro Gattuso. Marseille e ka arritur finalen e këtij kompeticioni 3 herë në historinë e saj duke u mundur në të tre rastet. Aktualisht në mesin e klasifikimit në Francë fitorja e kompeticionit është shansi më i mirë i tyre për të siguruar Europën edhe për vitin që vjen.
Atalanta e Gjimshitit ndërkohë me futbollin e saj të mrekullueshëm synon padyshim një fitore kundër francezëve. “Zikaltërit” nga Bergamo eliminuan nga kompeticioni me një fitore bindëse në “Anfield”, favoritët e Europa League, Liverpool çka ka rritur besimin se mund të jenë ata fituesit e Europa League për herë të parë në historinë e këtij klubi.
Arritje madhështore ndaj të cilës janë vetëm 3 ndeshje larg dhe e para ajo e kësaj të enjteje do të shohë Atalantan më të motivuar të gjithë sezonit. Në skuadrën e Gasperinit e dinë se pasi eliminuan Liverpoolin, vetëm qielli mund të jetë limiti për ta, ndërkohë që nuk përjashtohet që nëse kalojnë raundin në Dublin të ketë një finale të tërën italiane kundër Romës.
Në kohën kur kompeticioni quhej Kupa Uefa, ky ishte një terren i lumtur për skuadrat e Serie A që e kishin fituar trofeun plot tetë herë në 11 edicione, gjithsesi nuk ka asnjë sukses italian që nga koha kur kompeticioni mori emërtimin Europa League në vitin 2009-2010 pra asnjë triumf italian në shekullin e 21-të, diçka që mund të ndryshojë këtë vit, natyrisht nëse e lejojnë Marseille dhe Leverkusen.