Europa League dhe Conference League rikthehen me duele të zjarrta
Milan konsiderohet si një ndër ekipet favorite për të triumfuar në Europa League, por si fillim do t’i duhet të kalojë fazën play-off pas grupeve.
Në rrugën drejt 1/8-ave, kuqezinjtë gjejnë francezët e Rennes, një kundërshtar i fortë për skuadrën e Piolit.
Milani vjen nga Champions League, teksa doli i treti në grupin me PSG dhe Dortmund e Newcastle. Italianët do të luajnë aktin e parë në shtëpi dhe do synojnë t’i thjeshtojnë sa më shumë gjërat për ndeshjen që do të luhet në Francë pas një jave.
Sfidë shumë interesante pritet të jetë dhe përballja mes Feyenoord dhe Roma. Për të tretin edicion radhazi, këto dy ekipe përballen me njëra-tjetrën. Pas finales së Conference League në Tiranë në 2022 dhe dy çerekfinaleve të Europa League edicionin e shkuar, tani do të jetë një tjetër përballje e dyfishtë.
Holandezët u mundën në finalen e Tiranës, ndërsa dhe edicionin e kaluar u eliminuan nga italianët ndaj duan hakmarrjen këtë sezon, për t’i larguar herët nga kompeticioni të besuarit e De Rossit.
Sparta Prague, ku aktivizohet Qazim Laçi do të ketë një provë të vështirë me gjigantët turq të Galatasarayt. Çekët e luajnë ndeshjen e parë në transfertë, ndërkohë që do kërkojnë të bëjnë surprizën ndaj një rivali me shumë emra cilësor. Edhe Qarabagu i Redon Xhixhës do të përballet me një skuadër me eksperiencë, pasi të enjten në mbrëmje do të sfidojë Bragën në Portugali.
Gjermanët e Freiburg në kraun tjetër do të luajnë në Francë ndeshjen e parë ndaj Lens, ndërsa në përballjet e tjera, Benfica do të luajë me Toulouse, Young Boys me Sporting ndërsa Shakhtar Donetsk do matë forcat me Marseille.