Eurodeputeti austriak: Vetëm me ndryshimin e rrethanave politike në BE është i mundur një kompromis për Kosovën
Shefi i delegacionit të Partisë së Lirisë së Austrisë (FPO) në Parlamentin Evropian, Harald Vilimski, tha se është i mundur një kompromis për çështjen e Kosovës, por se është e nevojshme të ndryshohen rrethanat politike në BE si dhe situatën në SHBA.
“Unë besoj se mund të arrihet një kompromis, por rrethanat politike duhet të ndryshojnë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, situata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndryshojë dhe hapi i parë drejt kësaj janë zgjedhjet e ardhshme. Së dyti, aleanca jonë po bëhet më e fortë, deri më sot Von der Leyen dhe ekipi i saj janë të fortë, por aleanca jonë po zgjerohet dhe mund të krijohen rrethana të ndryshme politike. Ne të gjithë kemi nevojë për ndryshime politike, jo vetëm në SHBA, por edhe në të gjithë Evropën”, tha Vilimski në një intervistë për Veçernje Novosti.
Gjatë vizitës së tij dyditore në Beograd, Vilimski u takua me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe kryetaren e Kuvendit Kombëtar, Ana Brnabiq dhe përsëriti qëndrimin e tij se nga të gjitha vendet e Ballkanit, ai sheh vetëm Serbinë si një kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kam biseduar me presidentin Vuçiq se si mund të bashkohemi, të krijojmë një aleancë për të ndalur sulmet e politikanëve të majtë ndaj Serbisë dhe Hungarisë dhe si të thellojmë marrëdhëniet që po kultivojmë aktualisht. Serbia, ashtu si Hungaria, u kritikua për zgjedhjet e fundit. Unë isha vëzhgues në Hungari dhe pashë se si shkuan zgjedhjet. Nuk ka pasur probleme. Ne e dimë gjithashtu se zgjedhjet në Serbi ishin të lira dhe se nuk kishte manipulime, ndërsa socialistët si Andreas Schider sulmuan vendin tuaj dhe thanë se votimi nuk ishte i drejtë dhe korrekt. Kam mbrojtur edhe Serbinë edhe Hungarinë sepse jam i bindur se gjithçka ka qenë në rregull. Isha i nderuar dhe i befasuar pozitivisht kur presidenti Vuçiq më falënderoi për atë qëndrim”, tha Vilimski.