Euro 2024: Finalja mbretërore, precedentët e sfidës Spanjë-Angli
Spanjë-Angli është finalja mbretërore e kampionatit Europian 2024.
Dy përfaqësueset do të përballen në “Olimpiastadion” të Berlinit më datë 14 korrik në orën 21:00. Spanja vjen si favorite në këtë përballe, me lojën që ka zhvilluar deri më tani, por edhe sepse është mësuar me finalet, mjafton një statistikë; Spanja ka fituar tre kupa Europiane nga katër të zhvilluara.
Skuadra e De La Fuentes ka krijuar gjithashtu një seri fitoresh prej tetë ndeshjesh radhazi, hera e fundit që ekipi spanjoll ia doli të fitonte nëntë përballje rresht ishte në vitin 2012, një ecuri që përfshiu ngritjen e trofeut. Një sukses i tillë do t’i jepte Spanjës titullin e katërt europian, askush nga përfaqësueset nuk e ka bërë diçka të tillë në Europë.
Pas një rruge të gjatë e të mundimshme, Anglia do të tentojë me patjetër t’i shkojë deri në fund kësaj aventure. Gareth Southgate është trajneri i parë që udhëhoqi “Tre Luanët” në dy finale Europiane. 27 përballje mes tyre, sfida e parë e zhvilluar mes tyre është më 15 maj të vitit 1929, një miqësore që në atë kohë ekipi iberik fitonte 4-3, ndërsa sfida e fundit është më 15 tetor të vitit 2018-të, Anglia fitonte 3-2 në Ligën e Kombeve e vlefshme për Grupin A.
Nga 27 përballje 14 fitore i përkasin Anglisë, 10 fitore Spanja, dhe tre ndeshje kanë përfunduar në barazim. Por ajo që ka rëndësi është sfida e së dielës, ku askush nuk dëshiron të gabojë.