Etrit Berisha: Duhet të japim maksimumin ndaj Moldavisë
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, në një konferencë për medie, ka folur para duelit me Moldavinë.
Kuqezinjtë këtë të premte luajnë në udhëtim tek Moldavia, në kuadër të kualifikueseve për EURO 2024.
Shqipërisë i duhet vetëm edhe një pikë në dy ndeshjet e fundit për të siguruar kualifikimin në “Gjermania 2024”.
“Gardiani” i Kombëtares së Shqipërisë, thotë se skuadra shqiptare llogaritët favorit në duel me Moldavinë, megjithatë, sipas tij, të besuarit e trajnerit Sylvinho duhet të përqenderuar maksimalisht në mënyrë që të marrin rezultat pozitiv në udhëtim te Moldavia.
“Mundohem ta kuptoj situatën e Moldavisë, të kesh përballë një skuadër siç jemi ne është e vështirë. Çdo ekip me të cilin jemi përballur e kemi vënë në vështirësi, do të bëjmë të njëjtën gjë me Moldavinë. Megjithatë ata nuk kanë asgjë për të humbur dhe ndonëse favorit në letër jemi ne, duhet të bëjmë maksimumin. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ndaj Ishujve Faroe edhe ndaj tyre duhet të luajmë për fitore”, ka thënë Berisha.
Shqipëria tri ditë pas ndeshjes me Moldavinë, do të përballet me Ishujt Faroe në “Air Albania” në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për EURO 2024.