Etnik Brruti tradhton Kosovën, zgjedh interesin personal para lartësimit të shtetit

Etnik Brruti tradhton Kosovën, zgjedh interesin personal para lartësimit të shtetit

Në momentin kur Kosova po përkujtonte njërën nga datat më sublime të historisë së saj, Epopenë e UÇK-së, ka ardhur një vendim individual i një futbollisti që ka zhgënjyer opinionin sportiv. Kapiteni i deritashëm i Kombëtares së Kosovës U21, anëtari i FC Malisheva, Etnik Brruti, sipas burimeve në FSHF tashmë ka zgjedhur të braktisë Kosovën për të përfaqësuar Shqipërinë, një akt që për shumëkënd konsiderohet i pakuptueshëm dhe i dhimbshëm.

Brruti ishte një nga talentet më premtuese të futbollit kosovar dhe një figurë kyçe në Kombëtaren U21 të Kosovës. Ai mbante shiritin e kapitenit, një përgjegjësi dhe nder që nuk i jepet kujtdo. Për më tepër, ai shihej si një perspektivë e rëndësishme për Kombëtaren A të Kosovës. Megjithatë, në vend që të vijonte rrugën e tij me përfaqësuesen që e promovoi dhe e mbështeti vazhdimisht, ai vendosi të ndjekë një drejtim tjetër, të nxitur nga interesa personale apo nga menaxherët që i shohin futbollistët si mall tregu.

Ky rast na vendos përballë një dileme më të gjerë: A është futbolli sot thjesht një lojë interesash, apo duhet të ruajë një dimension më të thellë ndjenjash dhe përkatësie?

Kosova është një shtet i ri, por me një histori të pasur sakrificash. Ata që zgjedhin të përfaqësojnë këtë shtet në arenën ndërkombëtare nuk përfaqësojnë vetëm veten e tyre, por edhe një popull të përvuajtur që ka luftuar për liri dhe dinjitet me dekada. Prandaj, vendimet si ky i Brrutit nuk mund të shihen vetëm si zgjedhje sportive, por edhe si shpërfillje e identitetit dhe besnikërisë ndaj vendlindjes.

Edhe pse gjithë kanë të drejtën e zgjedhjes personale, nuk mund të injorohet fakti se vendime të tilla prekin thellë ndjenjat e një populli që ende po ndërton dhe forcon identitetin e tij në arenën ndërkombëtare. Në fund të fundit, Kosova ka nevojë për lojtarë që besojnë në të dhe janë të gatshëm ta përfaqësojnë me krenari, jo për ata që e shohin thjesht si një mundësi kalimtare. Dhe ndoshta, më mirë është që kushdo që nuk ndan këtë përkushtim të largohet, sepse përfaqësimi nuk është vetëm talent – është mbi të gjitha përkushtim, nder dhe dashuri për shtetin.

Share This