Ermal Krasniqi: Në Rumani do të shkojmë për të dhënë maksimumin
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Ermal Krasniqi ka qenë njëri ndër lojtarët më të mirë tek Dardanët në fitoren ndaj Lituanisë dhe Qipros.
Krasniqi kishte shënuar gol në fitoren në udhëtim tek Lituania, derisa ai golin e gjeti edhe mbrëmë në fitoren kundër Qipros (3-0).
Sulmuesi i Kombëtares sonë, në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, ka premtuar gol edhe në duelet e ardhshme të Kosovës.
“Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, nuk do të ndalem vetëm me një gol dhe shpresoj që të vazhdoj kështu dhe t’i gëzoj tifozët tanë. Ishte kënaqësi shumë e veçantë të shënoja në stadiumin tonë ‘Fadil Vokrri’. Kur e shënova golin e parë ishte një ndjenjë e veçantë, por sot ishte edhe më e veçantë sepse të shënosh në stadiumin tënd është një kënaqësi edhe më e veçantë në prani të tifozëve tanë të mrekullueshëm”, ka thënë Krasniqi.
Sulmuesi i Sparta Pragës, ka folur edhe për ndeshjen e muajit të ardhshëm me Rumaninë, e cila do të jetë përcaktuese për liderin e grupit.
“Ka me qenë një ndeshje e vështirë, të gjithë e dimë. Normalisht, do të përgatitemi në maksimum, kemi kohë dhe kanë kohë trajnerët dhe stafi që ta analizojnë mirë. Na pret një ndeshje e vështirë, por normalisht do të shkojmë atje për ta dhënë maksimumin. Nëse luftojmë të gjithë së bashku, besoj se gjithçka është e mundshme”, ka theksuar Krasniqi.
Aktualisht, rumunët i kanë tri pikë më shumë dhe e kanë fituar ndeshjen e zhvilluar në Kosovë me rezultat 3:0.
Për këtë, Dardanëve iu nevojitet të fitojnë 4:0 në Bukuresht nëse duan të bëhen liderë të Grupit 2 në Ligën C.