Epoka e Lamine Yamal fillon në EURO 2024
Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal do të jetë më i riu në Evropianin ‘Gjermani 2024’, por pas një sezoni në La Liga, ai ka aftësinë të përballojë turneun e kësaj vere.
Lamine Yamal konsiderohet një nga talentët më të mëdhenj në futbollin botëror. Një anësor i krahasuar shpesh me Lionel Messin, por stilistikisht ai wshtw ngjashëm me Bukayo Saka.
Të gjithë i kanë parë cilësitë e tij. Ish-trajneri i Barcelonës, Xavi kishte deklaruar se “Yamal mund të vendos një epokë të re në Kataloni”.
Ndërkohë, David Villa e cilësoi “atë si një talent të madh”, ndërsa Dani Carvajal vuri në dukje se “është pothuajse e pamundur të mbrohet ai”.
Vëmendja për Yamal kthehet tashmë në EURO 2024, ku talenti spanjoll mund të ketë ndikimin e tij më të madh në Kombëtaren e Spanjës, skuadër kjo që është në grup me Shqipërinë, Italinë dhe Kroacinë.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente e ka bërë të qartë se ‘Yamal do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Spanjën në këtë Evropian’.
Spanja aventurën në ‘Gjermani 2024’ e nis të shtunën ndaj Kroacisë.