Enrique pas humbjes nga Dortmundi: Futbolli ndonjëherë është i padrejtë
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique mendon se skuadra e tij e ka merituar kualifikimin në finalen e Ligës së Kampionëve.
Parisienët të martën mbrëma u mundën nga Borussia Dortmund (0-1), në gjysmëfinalen kthyese të kësaj garë të madhe evropiane.
Strategu spanjoll është i bindur se PSG e kishte merituar kalimin në finale, sepse sipas tij, të besuarit e tij bën paraqitje më të mirë se skuadra gjermane.
“Të jem i sinqertë, mendoj se do ta kishim merituar kualifikimin”, ka thënë Enrique.
Ai thotë se futbolli shpeshherë është i padrejtë, sepse sipas Enrique, PSG bëri 31 goditje dhe katër herë qëlloi shtyllën.
“Ne realizuam 31 goditje, katër herë goditëm shtyllën, më shumë se tre gola të pritshëm. Në dy ndeshjet e goditëm shtyllën gjashtë herë, por nuk shënuam. Futbolli ndonjëherë është kaq i padrejtë”, ka theksuar Enrique.
Spanjolli e ka uruar Dortmundin për kualifikim në finalen e Ligës së Kampionëve. Sipas Enrique, skuadra gjermane është ekip i fortë.
“Urime Borussia Dortmundit. Ata janë një ekip i mrekullueshëm dhe shpresoj se mund ta fitojnë finalen”, ka pohuar Enrique.