Enrique krijon një PSG fituese
Më në fund përpjekjet e Luis Enrique-s po japin rezultatet e shumëpritura.
Trajneri spanjoll ka arritur të krijojë frymën e grupit dhe kjo po funksionon. PSG është tashmë një skuadër fituese ku kolektivi mbizotëron mbi individin. Ndërsa Mbappe i jep suksesin skuadrës franceze me golat e tij.
Ardhja e Luis Enriques në pankinën e PSG-së shënoi fillimin e një epoke të re në Paris. Që në ditën e parë në Paris, ai kërkoi 23 sulmues, një skuadër që të mos varej vetëm nga Mbappe. Dhe këtë ia arriti.
Fitorja 2-0 ndaj Real Sociedad në ndeshjen e parë të 1/8 të Ligës së Kampioneve tregoi se PSG është tashmë një skuadër për t’u konsideruar. Real Sociedad, sidomos në pjesën e dytë, nuk mundi t’i përmbajë 11 lojtarët e formacionit të Enriques.
Dhe mediat ndërkombëtare i bëjnë jehonë fitores së PSG dhe sidomos Mbappe-s. Në Francë, “L’Equipe” e quan Mbappe-n si njeriun që zhbllokoi rezultatin.
“Le figaro sport”, titullon: psg fiton me Realit, mbappe ndez dritën jeshile, dembele vital. Edhe në Spanjë, “AS Sport” dhe “Marca”, në titujt kryesorë ngrenë lart Mbappe-n si udhëheqësin e PSG drejt fitores ndaj Real Sociedad.
Ndërsa Trajneri Imanol Alguacil nuk ishte shumë i kënaqur me humbjen 2-0 në “Parc des Princes”, e sidomos me golin e parë të pësuar që duket se lojtarët e Sociedadit ia dhuruan vetë kundërshtarit.
“Deri në atë gol, ishte një ndeshje thuajse e barabartë, ai gol na bëri shumë dëm”.
“Gjithsesi ndeshjen e kthimit e kemi në qytetin tonë ku do të kemi më shumë mundësi për të rikuperuar dy golat e pësuar. Luajmë përpara tifozëve tanë dhe do t’i tregojmë Luis Enrique-s dhe lojtarëve të tij se nuk do ta ketë të lehtë”, ka thënë Imanol për ndeshjen e kthimin e cila do të luhet në “San Sebastián”.