Elvir Gashijani shpallet ‘Ylli i Javës’

Elvir Gashijani shpallet ‘Ylli i Javës’

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”.

Ky çmim, për javën e 30-të në Albi Mall Superligë, i është ndarë futbollistit të KF Llapit, Elvir Gashijani.

Vlerësimi për më të mirin e javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Muhamet Sylejmanit, Agim Maliqit dhe Fisnik Ademit. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e tridhjetë t’i takojë Elvir Gashijanit, i cili shënoi një gol dhe asistoi për një tjetër, duke qenë lojtari më i dobishëm i skuadrës së tij në fitoren e rëndësishme në udhëtim kundër Malishevës, e cila përfundoi me rezultat 1:3.

Pasi mori këtë çmim, Gashijani u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.

“Ishte një ndeshje e vështirë, por jemi përgatitur shumë mirë. Forma e lojtarëve ishte maksimale. Grupi dhe atmosfera në ekip janë shumë të mira dhe besoj se do të triumfojmë edhe në ndeshjen e Kupës së Kosovës”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

“Jam shumë i lumtur që jam shpallur më i miri i javës dhe dua të falënderoj bashkëlojtarët për përkrahjen, familjen, klubin dhe dy njerëzit që janë gjithmonë afër meje – Afrim Ajetin dhe Adil Vokrrin”, theksoi Gashijani.

Share This