Elita e hendbollit rikthehet me derbin Trepça-Besa Famgas
Trepça dhe Besa Famgas do të përballen në ndeshjen më interesante të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Dy skuadrat që fituan trofetë e edicionit të kaluar, takohen të shtunën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, sfidë kjo që fillon në orën 19:00.
Kampionia aktuale, Besa Famgas, është e frymëzuar nga fitorja ndaj Rahovecit, javën e kaluar. Pejanët synojnë të vazhdojnë me fitore në prag të fazës finale të garave.
Ndërkohë Trepça angazhoi tre lojtarë të huaj së fundi dhe synon të rivalizojë Besën deri në fund, me shpresë për dy pikë të mëdha.
Besa Famgas është e dyta me 42 pikë. Prej pozitës së dytë do të startojë në play-off. Trepça është e katërta me 30 pikë.
Të shtunën luhen edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 26-të. Nga ora 12:30 takohen Prishtina e Vëllaznimi. Prishtinasit ndodhen në pozitën e pestë me 21 pikë, ndërsa Vëllaznimi i shtati me tetë pikë.
Ndërkohë, në orën 20:00, Rahoveci i bën ‘konak’ Vushtrrisë. Rahoveci synon t’ kthehet fitoreve pas disfatës në Pejë nga Besa.
Rahoveci është lider me 48 pikë. Ishte në seri prej 24 fitoreve deri të shtunën e kaluar. Vushtrria është e gjashta me 11 pikë.
Ndërkaq, në Ligën e Parë të hendbollistëve zhvillohet xhiroja e 15-të.
Të shtunën luhen takimet: Prizreni – Vjosa (19:00), Istogu – Lepenci (15:30), Ulpiana – Drita (18:00), Drenica – Llapi (19:00).
Kurse, ndeshja Samadrexha – Dukagjini luhet të hënën nga ora 20:00.