Elita e hendbollit rikthehet me derbin e zjarrtë Rahoveci-Besa Famgas

Elita e hendbollit rikthehet me derbin e zjarrtë Rahoveci-Besa Famgas

Superliga e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, rikthehet sot me ndeshjet e javës së 18-të.

Kjo xhiro nis sot me dueli mes Kastriotit dhe Vushtrrisë, ndeshje që fillon në orën 18:30.

Ndërsa të shtunën (15:00), Prishtina është favorite e madhe ndaj Deçanit, derisa të dielën prej orës 19:00 tifozët e hendbollit i pret kryendeshja mes Rahovecit dhe Besa Famgasit.

Ky superderbi zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Pritet ndeshje e fortë dhe dramatike deri në fund.

Rahoveci është në seri impresive prej 17 fitoreve. Udhëheq në tabelë me 34 pikë. Kampionia në fuqi, Besa Famgas, është e dyta me 28 pikë. Ka 14 fitore e tri humbje. Dy prej humbjeve ia ka shkaktuar Rahoveci. Por që të dy ndeshjet ishin shumë të forta dhe u vendosën në aksionet e fundit.

Në kuadër të xhiros së katërt, më 9 shtator, Rahoveci kishte fituar si nikoqir me rezultatin 34:33. Në kuadër të xhiros së 11-të, më 26 nëntor, “vreshtarët” kishin fituar në Pejë me rezultat 29:27, ndonëse Besa ishte duke udhëhequr 15:13 pas pjesës së parë.

Rrjedha e dy ndeshjeve të kaluara garanton superderbi edhe të dielën mbrëma.

Ndërkaq, ndeshja mes Trepçës dhe Vëllaznimit është shtyrë.

Share This