Elita e basketbollit rikthehet sot me dy superduele
Skuadrat elitare në basketbollin tonë, rikthehen sot me dy ndeshjet e para të javës së 27-të, ku përballen Trepça-Bashkimi dhe Peja-Sigal Prishtina.
Kjo xhiro do të hapet me një tjetër sfidë interesante ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit. Dy skuadrat kanë siguruar “Play-off”-in, me mitrovicasit që kanë blinduar vendin e parë me 24 fitore e dy humbje, kurse prizrenasit kanë 11 fitore e 15 humbje dhe synojnë vendin e pestë në renditje. Dy rivalët e vjetër pritet të sjellin basketboll cilësor të shtunën në “Minatori”.
Gjithashtu sot zhvillohet përballja tjetër mes rivalëve të vjetër, Pejës dhe Sigal Prishtinës. Kampionët synojnë të mbesin në pozitën e dytë për tu kualifikuar direkt në gjysmëfinale, kurse prishtinasit të fitojnë derbin dhe për tu motivuar para garave vendimtare. Verdhezinjtë kanë 18 fitore e tetë humbje, ndërsa bardhekaltrit 15 fitore e 11 humbje.
Ndërkaq, të dielën luhen edhe dy ndeshjet e fundit të xhiros së 27-të, ku ballafaqohen Vëllaznimi-Istogu dhe Proton Cable Prizreni-Golden Eagle Ylli.
Vëllaznimi pritet t’iu kthehet fitoreve, pasi ndeshet me Istogun, që po paraqitet vetëm me vendorë. Kuqezinjtë kanë 11 fitore e 15 humbje, ndërsa istogasit një fitore e 25 humbje.
Dueli i fundit është mes Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit, ku prizrenasit do të luajnë në “Play-out”, kurse therandasit synojnë gjysmëfinalen e “Play-off”-it. Basketbollistët prizrenas numërojnë shtatë fitore e 19 humbje, ndërsa ata therandas 17 fitore e nëntë humbje.
Superliga-Java 27
Sot takohen:
17:00 Trepça-Bashkimi
20:00 Peja-Sigal Prishtina
Nesër takohen:
19:00 Vëllaznimi – Istogu
20:00 Proton Cable Prizreni-Golden Eagle Ylli