Elezi: Numërimi i votave të kandidatëve përfundon brenda pak ditësh

Elezi: Numërimi i votave të kandidatëve përfundon brenda pak ditësh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencë për media tha se në qendrat komunale të numërimit përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve, do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.

“Fillimisht procesi i numërimit është planifikuar të fillojë në qendrat komunale të numërimit, në Prishtinë, Obiliq, Lipjan e Partesh. Numërimi në Qendrat Komunale në komunat tjera, pritet të fillojë pasi të bëhen përgatitjet e duhura teknike e administrative. Ndërkaq lidhur me votat me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, numërimi do të bëhet në një fazë të mëvonshme, pasi të përfundojnë numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit”, tha ai.

Tregoi se së shpejti do të ketë të dhëna për komunat veç e veç. Elezi foli edhe për procedurat që do t’i nënshtrohen pakot me fletëvotime nga jashtë.

“I nënshtrohen fillimisht procesit të vlerësimit i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat e parapara”, sqaroi ai.

I pyetur se sa do të zgjasë numërimi i një vendvotimi, tha se është vështirë të parashikohet, meqë ajo varet nga disa faktorë.

“Nga pjesëmarrja e votuesve në një vendvotim, çka do të thotë se vendvotimet me numër më të madh të votuesve marrin më shumë kohë për t’u numëruar me ato me pjesëmarrje më të ulët. Besojmë që brenda pak dite do të arrijmë të përmbyllim këtë proces, por pa dashur të japim ndonjë afat të caktuar”, tha ai, raporton rtk.

Ai tha se për herë të parë KQZ-ja po zbaton Ligjin për Zgjedhje të miratuar në vitin 2023, ku parashihet edhe përcaktimi i Qendrave Komunale të Numërimit.

“Meqë është ndërmarrje komplekse edhe sa i përket aspekteve të organizimit të transparencës është dashur pak kohë, por nuk është ndonjë vonesë e madhe fillimi i numërimit të votave për kandidatë”, tha ai.

Share This