Egbo i lumtur për trofeun e parë me Prishtinën
Trajneri nigerian i Prishtinës, Emmanuel Egbo, është ndarë shumë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve në Superkupë kundër Ballkanit, por edhe me fitimin e trofeut të parë si trajner i “bardhekaltërve”.
“Është kupa e parë e fituar qëkur erdha në Kosovë te Prishtina. Kjo është kupë psikologjike dhe u kam thënë lojtarëve që duhet ta fitojmë patjetër, sepse Prishtina është klubi më i madh në Kosovë. Prishtina në çdo garë futet për të fituar. Sot mbaroi kupa, nesër vazhdon puna për të cilën kemi ardhur këtu. Gjithçka po shkon shumë mirë. Është kohë shumë e mirë për të punuar me transferimet e reja, por edhe me pjesën tjetër të ekipit që ishin këtu. Jam i kënaqur me formën fizike të cilën e kanë treguar dhe duhet ta vazhdojmë këtë moment”, ka thënë Egbo për “ArtMotion” pas ndeshjes.