Edon Zhegrova: Jam shumë i lumtur që isha nominuar për lojtarin më të mirë në Francë
Kylian Mbappe është shpallur të hënën si lojtari më i mirë në kampionatin francez të futbollit, Ligue 1.
Veçantia e ceremonisë për dhënien e këtij çmimi ishte se në mesin e të nominuarve ishte edhe lojtari i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova.
Me skuadrën e tij, Lille, Zhegrova këtë sezon pati paraqitje fantastike.
Ai realizoi gjashtë gola dhe ka dhënë pesë asistime duke ndihmuar skuadrën e tij të renditet në vendin e tretë me 58 pikë, kur ka mbetur vetëm një ndeshje për t’u mbyllur kampionati.
Pas ceremonisë, Zhegrova ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që mori, ndërsa është shprehur i lumtur që ishte në mesin e të nominuarve për këtë çmim.
“Shumë i lumtur që isha i nominuar për lojtarin më të mirë në Francë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë gjatë gjithë sezonit. Le ta përfundojmë kampionatin me fitore të dielën”, ka shkruar Zhegrova në “Instagram”.