Edon Sadriu ‘Ylli i Javës’
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin ‘Ylli i Javës’.
Ky çmim për javën e nëntë në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Ferizaj, Edon Sadriu.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Sunaj Keqi, Milaim Humolli dhe Edmond Cana. Ky komision vendosi që çmimi ‘Ylli i Javës’ për xhiron e nëntë t’i takojë Sadriut, i cili për 84 minuta ishte lojtari më i dobishëm i skuadrës së tij.
Ai shënoi golin që zhbllokoi rezultatin në Gjilan për fitoren e rëndësishme të FC Ferizaj kundër SC Gjilani (1:2).
Pasi mori këtë çmim, Edoni u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Ndeshja me Gjilanin ka qenë shumë e mirë fal stafit të trajnerëve, të cilët e kanë analizuar shumë mirë lojën e kundërshtarit. Gjatë javës, gjithçka që kemi punuar e kemi paraqitur në fushë ndaj një skuadre të mirë si Gjilani. Atmosfera në klub është shumë e mirë, ndonëse para disa javësh nuk ka qenë gjithmonë pozitive, pasi na mungonin rezultatet. Por unë, si kapiten, së bashku me stafin e trajnerëve, kemi mbajtur ekipin të bashkuar dhe kemi arritur të kalojmë këtë krizë duke siguruar dy fitore radhazi. Shpresoj të vazhdojmë kështu. I falënderoj bashkëlojtarët për këtë çmim dhe besoj se çdo lojtar i FC Ferizaj do të ishte meritor për të fituar këtë çmim”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.