Edhe një muaj deri në përfundimin e dëshmitarëve të Prokurorisë në Hagë

Edhe një muaj deri në përfundimin e dëshmitarëve të Prokurorisë në Hagë

Ka mbetur edhe një muaj deri në përfundimin e dëshmitarëve të Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të Speciales, gjykimi rifillon pas dy javësh, më 17 mars, derisa të planifikuara janë edhe 23 seanca gjyqësore, që parashihen të mbahen deri më 8 maj.

Prej tyre, 8 janë në muajin mars, 10 në prill dhe 5 në muajin maj, në të cilat pritet të përfundojë intervistimi i dëshmitarëve të prokurorisë, për të vazhduar me ata të mbrojtjes së viktimave dhe të mbrojtjes së të akuzuarve.

Procesin e vlerëson me mungesë transparence avokati Ardian Bajraktari, sipas të cilit, gjykimi ndaj  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është një prej proceseve më të mbyllura.

“Është një proces i stërzgjatur të cilin natyrisht këtë e kanë konfirmuar edhe dokumentet e vet Dhomave të Specializuara, e kemi vazhdim të masës së paraburgimit si masë më e ashpër për sigurimin e prezencës së të pandehurit, ndonjëherë edhe me arsyetime të natyrës shabllone, dhe jam optimist se pas përfundimit të dëshmitarëve të prokurorisë eventualisht të zyrës së mbrojtjes së viktimave nuk do të ketë arsye së paku ligjore të vazhdohet paraburgimi”, ka thënë Bajraktari.

Ndërkohë, Nasim Haradinaj, që para tri vitesh u dënua nga ky institucion, thotë se Gjykata Speciale përherë ka qenë e padrejtë.

“Prej fillimit dhe deri në mbarim, kjo gjykatë nuk ka qenë asnjëherë e drejtë dhe nuk ka reflektuar drejtësi dhe sinqeritet, përpos urrejtje dhe nacionalizëm ose tamon racizëm”, ka thënë Haradinaj.

Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve deri më tani pyetjeve u janë përgjigjur 123 dëshmitarë të Prokurorisë së Specializuar, derisa mbrojtja e viktimave ka paralajmëruar se u nevojiten deri në 2 javë kohë për dëshmitarët e vet, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar deri në 10 javë në dispozicion për dëshmitarët e planifikuar. /rtk/

Share This