E tallën pas penalltisë së humbur, Osimhen merr vendimin kundër dëshirës së trajnerit Garcia
Victor Osimhen, sulmuesi i Napolit duket se ka hequr dorë nga ekzekutimi i 11-metrashave.
Ishte pikërisht një penallti e gabuar ndaj Bolognas që nisi “krisjen” e tij me Napolin teksa nigeriani u tall në profilin zyrtar të klubit italian në Tik-Tok.
Sulmuesi po tenton ta “hedhë pas shpine” këtë histori dhe të rigjejë edhe njëherë tjetër ndjesinë për napoletanët. Megjithatë, nga pika e bardhë Osimhen duket se nuk do të paraqitet më, të paktën për këtë sezon.
Pas asaj penalltie me Bolognan, Napolit i janë akorduar edhe tre penallti të tjera, dy në kampionat dhe një në Champions League. Ndaj Udineses në kampionat shënoi Zielinski (edhe pse Garcia nga stoli kërkoi që të godiste Osimhen) ndërsa në sfidën pasardhëse ndaj Lecces, “nderin” për të goditur nga 11-metrat e pati Politano.
Sakaq, Osimhen nuk u “josh” as për të shënuar ndaj Realit në Champions teksa nga 11-metrat u paraqit Zielinski me polakun që nuk gaboi.
Në këtë formë, 24-vjeçari duket se do të mbajë qëndrim dhe nuk do të godasë më nga 11-metrat, teksa raporti i “krisur” me klubin ka nxjerrë pengesa edhe në rinovimin e kontratës teksa për momentin nuk ka bisedime mes palëve.