“E parashikueshme”: Si mund të jetë politika e ShBA-së ndaj Kosovës, nëse Harrisi zgjidhet presidente?
Javën e kaluar Joe Biden, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dha dorëheqje nga gara për rizgjedhjen në Zyrën Ovale.
Dy analistë, me të cilët bisedoi Nacionale, e vlerësuan lartë kontributin e Bidenit në lirinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Ndërsa për Kamala Harrisin, kandidaten e mundshme të Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale, e cilësuan si një “garancë” për vazhdimin e politikave pro-Kosovës.
Shkodran Ramdani, analist dhe sociolog, ka pasur fjalë të mëdha për politikën e Bidenit, kur u pyet nga Nacionale. Sipas Ramadanit, Biden do të mbahet mend në histori si mik i Kosovës.
“Pak figura kanë luajtur një rol më të rëndësishëm në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës se Joe Biden. Përkushtimi i tij i palëkundur për kauzën e Kosovës, nga ditët e dhimbshme të luftës e deri te udhëtimi i mundimshëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës, është i pamohueshëm.
Përfshirja e Biden me Kosovën filloi në fund të viteve ‘90. Si anëtar i lartë i Komisionit të Senatit për
Marrëdhëniet me Jashtë, ai ishte një nga përkrahësit më të zëshëm të ndërhyrjes së NATO-s” – ka thënë Ramadani në përgjigjen për Nacionalen.
Në të njëjtën linjë të argumentimit është edhe Avdi Smajljaj, profesor dhe politolog, i cili vlerësoi se lidja e Bidenit me Kosovën ka qenë “përtej relacioneve zyrtare”. Ndërsa në rast se Harris zgjidhet presidente e ShBA-së, Smajljaj sqaroi se politika e jashtme amerikane karshi Kosovës “do të jetë më e parashikueshme dhe konsistente”.
“Lidhja e Presidentit Biden me Kosovën është përtej relacioneve zyrtare e institucionale në mes ShBA-së dhe Kosovës. Ai ishte pjesë e institucioneve në faza të ndryshme të mbështetjes së ShBA-së për Kosoven. Ishte një avokat i madh i çështjes së Kosovës.
Nëse Kamala Harris zgjidhet Presidente e ShBA-së, politika e jashtme e ShBA do të jetë më e parashikueshme dhe konsistente, edhe sa i përket mbështetjes për Kosovën” – ka theksuar Smajljaj.
Sociologu Ramadani, pak a shumë, mendoi njëjtë me Smjaljaj në lidhje me Harrisin si presidente e ShBA-së. Në krahasim me Donald Trumpin, kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit në ShBA, vazhdoi Ramadani, me Harrisin “është gati e garantuar” vazhdimësia e politikës së njëjtë të ShBA-së.
“Sa i përket Kamala Harrisit, në rast të zgjedhjes si Presidente, nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim drastik nga politika e viteve të fundit. Me të, vazhdimësia, e jo shkëputja, është gati e garantuar.
Ndërkohë në rast të ardhjes së Trumpit në krye, bashkë me të vijnë edhe shumë pikëpyetje për raportet me Kosovën dhe hesape të paqëruara me qeverinë aktuale në Kosovë” – ka thënë Ramadani.
Sjellim ndër mend që Bideni dha dorëheqje nga ideja e rizgjedhjes për një mandate të dytë pas kritikave të shumta për performancen e tij në debatin e parë kundër Trumpit. Zgjedhjet në ShBA do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti. /nacionale/