
E konfirmon Prokuroria Speciale: Peci po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale e ka konfirmuar se Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci po vazhdon të intervistohet, në cilësinë e të pandehurit.
“Po vazhdon ende intervistimi. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale.
Që nga orët e mëngjesit sot janë duke u bastisur Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillimit të Bujqësisë, Agjencia e Veterinarisë dhe kompaninë që e ka fituar tenderin ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’.
Deri me tani kanë folur për të gjitha institucionet të përfshira në këtë rast.
Vetëm ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Pecili, i cili e ka nënshkruar këtë kontratë, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë.
Madje, ministri në fjalë sot u është shmangur edhe gazetarëve.
Ndonëse Peci flet para gazetarëve për çdo përpjekje të deputetëve për konstituimin e Kuvendit, ai sot ka zgjedhur hyrjen dytësore të Kuvendit për t`u mos u përballur me gazetarët.
Ndryshe nga Peci, para gazetarëve ka folur Prokurori Admir Shala, duke dhënë detaje të reja në lidhje me bastisjes e sotme.
Ai ka bërë me dije se përveç ministrisë së Bujqësisë janë duke u bastisur edhe tri institucione tjera.
“Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i vetenerinarisë ë kompanisë përfituese”, ka deklaruar ai.