
E konfirmon Ancelotti: Më 26 maj do të jem trajner i Brazilit
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se do të marrë drejtimin e Kombëtares së Brazilit.
Strategu italian tashmë numëron ditët në krye të gjigantit spanjoll.
Ancelotti të martën në konferencën për media në prag të duelit me Mallorca-n, ka thënë se më 26 maj zyrtarisht do të marr ‘timonin’ e Brazilit.
“Ndjesia ime është se do të jem trajner i Brazilit duke nisur nga data 26 maj. Është një sfidë e rëndësishme, por ende jam trajneri i Real Madridit. Dua ta përfundoj këtë etapë të kësaj aventure fantastike në mënyrën më të mirë,” tha Ancelotti.
“E kuptoj që jeni të interesuar për atë që do të ndodhë me mua, por duhet të mendoj për ditët që më kanë mbetur këtu. Nga respekti për këtë klub dhe tifozët e tij, jam i fokusuar te kjo fazë përmbyllëse e një aventure spektakolare”, theksoi ai.