E enjtja e legjionarëve kuqezi, pozitive
Dy veprimtaritë e tjera të klubeve të kontinentit, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës, kanë luajtur të enjten ndeshjet e 5-ta të fazës së grupeve.
Dhe talenti shqiptar, Ernest Muçi, i ka shënuar sërish Aston Villës në Ligën e Konferencës, teksa të enjten në mbrëmje 22-vjeçari gjeti rrugën e rrjetës në “Villa Park”, në duelin e kthimit, pas dygolëshit që u pati shënuar anglezëve në përballjen e parë, të fituar 3-2 në Poloni.
Muçi përfitoi nga gabimi në mbrojtje i vendasve, teksa me një gjuajtje spektakolare, e dërgoi topin në trekëndësh, duke mos i lënë asnjë shans portieri kundërshtar.
Një gol mjaft i bukur ky i yllit shqiptar i cili po fiton besim nga ndeshja në ndeshje, edhe pse nuk ka mjaftuar për të shmangur humbjen 1-2, pasi Aston Vila gjeti golin e fitores në pjesën e dytë. Muçi ishte titullar përgjatë gjithë takimit, ndërsa nga minuta e 77-të u aktivizua edhe Jurgen Çelhaka.
Ndërkaq, Atalanta, ku Berat Gjimshiti është titullar, e ka mbyllur në epërsi minimale pjesën e parë të sfidës së saj në shtëpi ndaj Sportingut të Lisbonës, të vlefshme për grupin D të Ligës së Evropës.
Por portugezët kanë barazuar shifrat në pjesën e dytë dhe mbyllet kështu 1-1 kjo përballje, që i çon të dyja skuadrat në turin tjetër, por me skuadrën e Gjimshitit si të parën në renditje dhe duke i kursyer kështu vetes një tur “play-off”-i në pranverë. Kurse në grupin C, Sparta e Pragës, për të cilën një tjetër futbollist kuqezi, Qazim Laçi, është titullar, e ka mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë të përballjes në shtëpi me Real Betisin, por ka vijuar të gjejë golin e fitores në pjesën e dytë, duke fituar 1-0 dhe duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Kurse në grupin H, Redon Xhixha është aktivizuar nga minuta e 60-të në barazimin 2-2 që skuadra e tij azere, Karabagu, mori në Norvegji përballë Moldes.