E bujshme nga Gjermania, Bayerni i beson stolin ish-trajnerit të Realit

E bujshme nga Gjermania, Bayerni i beson stolin ish-trajnerit të Realit

Bayerni i Mynihut ka gjetur trajnerin e ri. Lajmi i bujshëm vjen nga e përditshmja gjermane “Bild”, e cila raporton se në stolin e klubit gjigant bavarez do të ulet i mirënjohuri Zinedine Zidane.

51-vjeçari francez është i papunë që prej 2021-shit, kur u largua nga Reali i Madridit dhe duket se ka pranuar ofertën e bavarezëve për të marrë drejtimin e skuadrës që nga vera e këtij viti.

Klubi i Bayernit dhe vetë Zidane nuk kanë dhënë asnjë konfirmim, teksa vetë francezi ka lënë të kuptohet se në sezonin e ri do të rikthehet të drejtojë, por pa dhënë më shumë detaje.

Zinedine Zidane pati një karrierë të shkëlqyer si futbollist te Franca, por edhe te Juventus e Real Madrid, teksa pikërisht me spanjollët numëron edhe dy eksperienca si trajner, transmeton SS.

E para ka qenë fantastike, pasi ka fituar tre herë radhazi Ligën e Kampionëve, në periudhën 2016-2018, ndërsa eksperienca tjetër 2019-2021 u mbyll pa lënë gjurmë.

Share This