Dy vite rresht në grupet e Conference League-s, Ballkani i Dajës, krenaria shqiptare në futbollin evropian
Viti 2023 për Ballkanin ka qenë një vit me plot suksese si në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar.
Ekipi simpatik nga qyteti i vogël i Suharekës për të dytin vit rresht arriti të futej në grupet e UEFA Conference League, duke u bërë klubi që po përfaqësonte të gjithë shqiptarët në arenën ndërkombëtare, pasi thuajse të gjitha ekipet shqiptare u eliminuan shumë herët nga garat evropiane.
Arkitekti kryesor i këtij suksesi madhor të Ballkanit ishte strategu nga Tirana, Ilir Daja, i cili, prej kur erdhi në krye të ekipit nga Suhareka, në janar të vitit 2022, fitoi dy tituj kampion në Kosovë dhe për të dytin vit rresht e dërgoi ekipin në grupet e Conference League-s, duke arritur një sukses historik për klubin, diçka që nuk e kishte arritur më parë asnjë klub tjetër në Kosovë.
Portokallezinjtë jo vetëm që po fitonin me Dajën në krye, por edhe po bindnin me lojë, duke fituar simpatinë e gjithë shqiptarëve. Rezultatet dhe lojërat e mira bënë që shumë ekipe të kërkonin lojtarët e Ballkanit dhe në këtë mënyrë pas shitjes së Ermal Krasniqit te rumunët e Cluj, sivjet Ballkani arriti të përfitonte edhe nga shitja e Meriton Korenicës dhe së fundmi edhe nga ajo e Albioni Rrahmanit.
Largimi i titullarëve të padiskutueshëm la gjurmë në lojërat e Ballkanit, megjithatë edhe pa ta Ballkani në krye me Dajën po shkëlqente. Kampionët e Kosovës edhe sivjet patën paraqitje të mira në arenën ndërkombëtare dhe me pak fat kanë mundur ta kalojnë edhe grupin e tyre në Conference League.
Në fakt ata përfunduan në vendin e fundit në Grupin C, por kanë qenë në lojë për të kaluar në fazën e nokautit deri në ndeshjen e fundit në Zagreb kundër Dinamos ndaj të cilëve humbën 3-0. Megjitahtë Ballkani mundësinë për ta kaluar grupin dhe për t’u bërë ekipi i parë mbarëshqiptarë që arrin një sukses të tillë e lëshoi në ndeshjet si vendës kundër Astanës në Prishtinë dhe Plzen në Tiranë, në të cilat nuk fitoi asnjë pikë. Pavarësisht eliminimit Ballkani la shumë përshtypje me paraqitjet e saj në Conference League dhe sidomos nuk do të harrohet lehtë fitorja sensacionale që e arriti në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, kur mundi 2-0 gjigantët e Dinamo Zagrebit.
Paraqitjet e mira kanë ndikuar që sytë e ekipeve evropiane të kthehen përsëri kah Ballkani dhe sipas të gjitha gjasave në afatin kalimtar të janarit klubi pritet të shesë Lumbardh Dellovën, për të cilin ka marrë ofertë 1 milion dollarë, si dhe Armend Thaqin dhe Qëndrim Zybën, për të cilët gjithashtu ka oferta serioze.
Nuk ka asjnë dyshim se Ballkani ka qenë kryefjala e futbollit Kosovar në vitin 2023 dhe sukseseve të saj ia kanë pa hajrin edhe ekipet tjera kosovare, pasi që nga edicioni i ardhshëm në garat evropiane do të marrin pjesë katër ekipe nga Superliga e Kosovës.
Pavarësisht energjisë së madhe të shpenzuar në garat evropiane, Ballkani nuk e ka lënë anash as Superligën dhe është lider në tabelë dhe në rrugë shumë të mirë ta mbrojë titullin e kampionit. Pak edhe për neglizhencën dhe krizën e klubeve tjera, që po e përcillnin në tabelë dhe të cilat nuk po arrinin ta shfrytëzonin lodhjen e tyre, Ballkani vitin 2023 e mbylli në vendin e parë dhe do të bëjë të pamundurën që ta mbrojë titullin e kampionit dhe të bëhet gati që të jetë edhe më i fortë për garat e ardhshme evropiane për vitin e ardhshëm me në krye strategun Ilir Daja, i cili nga opinion sportiv në Kosovë është mbështetur që të jetë edhe selektori i ardhshëm i Kombëtares së Kosovës.
Një ekip që vjen nga një qytet i vogël, por që me rezultatet e arritura emrin e Ballkanit po e rrit gjithnjë e më shumë në arenën vendore dhe atë ndërkombëtare. /SS/