“Duket si 37 vjeç”, Luis Enrique i mahnitur me adoleshentin e PSG-së
PSG mposhti 4-0 Marseille në klasiken e futbollit francez. Skuadra e Luis Enriques, nuk hasi vështirësi në sfidën e së dielës, dominoi rivalët dhe siguroi tri pikë të rëndësishme për ecurinë në Ligue 1.
E vetmja gjë negative për kryeqytetasit ishte dëmtimi i Kylian Mbappe, takimi i të cilit zgjati vetëm gjysmë ore. Trajneri spanjoll vlerësoi performancën e djemve të tij, sidomos të 17-vjeçarit Warren Zaire-Emery.
“Warren është një futbollist që duket sikur është 37 vjeç, jo 17. Është një mundësi e shkëlqyer për mua që të kem një lojtar me cilësi të tilla. Ai luajti shumë me Galtier sezonin e kaluar (31 ndeshje).
Kënaqësi ta stërvitësh. E cilësoj si një lojtar shumë të kompletuar, shumë profesionist dhe një shembull. I përulur, punëtor i madh dhe profesionist në maksimum.
Shumë inteligjent në fushë dhe që gjithmonë di të luajë me shokët e skuadrës”, përfundoi Luis Enrique në lidhje me adoleshentin e talentuar të mesfushës.