Duka: Ky ishte grupi që nuk doja
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka komentuar shortin e kombëtares në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Shqipëria është pjesë e Grupit K dhe do të ketë kundërshtarë Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
“Nuk jam shumë i kënaqur me shortin, pasi goglat mund të na kishin rezervuar një fat më të mirë. Realisht ky ishte grupi që nuk doja. Anglinë nuk e doja, sepse është një kundërshtar shumë i vështirë. Serbia është një kundërshtar me problemet e veta. Nuk kemi eksperienca pozitive në përballjet me ta. Uroj që kësaj radhe të jetë ndryshe dhe të mendojmë vetëm për sportin”, tha ai.
“Nuk ishte një short i mirë, por duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjet. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të luftojmë për një biletë në Botëror. Asgjë nuk është e pamundur”, ka theksuar Duka.