“Dua të luaj gjithë jetës në Madrid”, deklaratë dashurie nga sulmuesi brazilian
Vinicius Junior ka qenë në qendër të vëmendjes për të ardhmen e tij, me emrin e brazilianit që është lidhur me shumë skuadra të ndryshme kryesisht në Premier League.
Megjithatë, së fundmi sulmuesi ka dhënë një deklaratë dashurie për “Los Blancos”, duke shprehur hapur vullnetin e tij se dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe për shumë vite.
“Është gjithmonë një nder dashuria që marr nga tifozët e Realit. Jam shumë i lumtur që luaj këtu dhe dua të vazhdoj të luaj këtu për pjesën tjetër të jetës sime”.
Një sinjal nga ana e futbollistit i cili është kërkuar nga Manchester United dhe Liverpool. Megjithatë shumë shpejt, braziliani do të nënshkruajë një kontratë të re me Realin.
Sulmuesi 23-vjeçar u transferua në “Santiago Bernabeu” në vitin 2018. Ai ka luajtur mbi 230 ndeshje me Realin duke shënuar dhe 62 gola.
Kontrata aktuale me “Los Blancos” i skadon në verën e vitit 2024, por me marrëveshjen e re, pritet që Vinicius të qëndrojë dhe për shumë vite në Madrid, referuar dhe deklaratës së dhënë, ku shprehet i lumtur për atë që ka gjetur tek skuadra spanjolle.