
Drita shkatërron Tre Fiorin, siguron ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës
Drita ka siguruar kualifikimin në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës, pasi ka regjistruar një tjetër fitore bindëse ndaj Tre Fiorit.
Gjilanasit triumfuan 5-0 në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues, ndërsa pas fitores 4-1 në sfidën e parë në San Marino, e mbyllën duelin me rezultat të përgjithshëm 9-1.
Drita zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke dominuar kundërshtarin gjatë gjithë ndeshjes.
Skuadra e Ardian Nuhiut e zhbllokoi takimin në minutën e 20-të me anë të Nguenës, i cili shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 41-të.
Vetëm një minutë më vonë, Arb Manaj realizoi për 3-0, duke e dërguar Dritën në pushim me një epërsi të thellë.
Dominimi i kampiones së Kosovës vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Arthur shënoi golin e katërt në minutën e 47-të, ndërsa Manaj realizoi sërish në minutën e 60-të për rezultatin përfundimtar 5-0.
Me dy golat e shënuar në këtë sfidë, Manaj e mbylli ndeshjen me dopietë.
Pas fitores së thellë 9-1 në rezultat të përgjithshëm, Drita ka siguruar me plot meritë kalimin në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës, duke vazhduar rrugëtimin evropian.
Gjilanasit tani presin të mësojnë kundërshtarin e tyre në fazën e ‘play-off’-it, ku do të synojnë një tjetër hap drejt fazës së ligës.

