Drita mposhtet në Malishevë, Llapi triumfon në Gjilan

Drita mposhtet në Malishevë, Llapi triumfon në Gjilan

Liderja e tabelës, Drita e ka gjetur humbjen në stadiumin “Liman Gegaj”.

Malisheva mori një fitore të madhe ndaj Dritës, me një rezultat minimal prej 1-0.

Në ndeshjen e luajtur për xhiron e 28-të të Superligës, ishte Malisheva që mori tre pikë të mëdha, me golin e shënuar nga Besnik Ferati, në fund të pjesës së parë.

Drita kishte mundësinë të barazonte rezultatin dy herë, por që Besnik Krasniqi nuk ishte i saktë nga pika e bardhë, raporton Express.

Me këtë humbje, Drita mbetet në kuotën e 60 pikëve, dhjetë më shumë se Ballkani në vendin e dytë.

Malisheva vazhdon presionin ndaj Ballkanit, duke shkuar në 47 pikë pas 28 ndeshjeve.

Llapi i fortë për Gjilanin

Llapi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim ndaj Gjilanit me rezultat 3-2 në kuadër të javës së 28-të në elitën e futbollit kosovar.

Pjesa e parë ishte tejet e vakët dhe pa raste të mira shënimi për ndonjërën prej ekipeve, me lojën që zhvillohej kryesisht me duele në mesfushë.

Me të njëjtin ritëm u përcoll pak a shumë edhe pjesa e dytë, por Gjilani ia doli të shënojë me rastin më serioz që patën.

Po luhej minuta e 63-të e ndeshjes kur pas një kundërsulmi Ylli Ibrahimi për mrekulli asistoi tek Edi Basa që realizoi për 1-0.

Mysafirët ia dolën të barazojnë shifrat në minutën e 81-të përmes Ardit Tahirit i cili realizoi për 1-1 me kokë pas asistimit të Elvir Gashijanit.

Rikthimi i madh i Llapit ndodhi në minutën e 87-të kur Kenan Haxhihamza bëri një pritje por topi iu kthye Arianit Hasanit i cili realizoi për 2-1.

Megjithatë, Gjilani ia doli të shënojë për të barazuar rezultatin në 2-2 në minutën e 94-të.

Kjo nuk e zmbrapsi Llapin të cilët në minutën e dhjetë shtesë arritën të shënojnë për 3-2 përmes Ardit Tahiri i cili u tregua i saktë nga penalltia, raporton telegrafi.

Pas kësaj humbje Gjilani mbetet në kuotën e 38 pikëve dhe mban pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Llapi pozicionohet në vendin e tetë me 33 sosh.

Share This