Drita mposht Ballkanin, “nxehët” gara për titull

Drita mposht Ballkanin, “nxehët” gara për titull

Drita e ka mposhtur Ballkanin, me rezultat 2-1, të martën në ndeshjen e mbetur nga java e tretë për shkak të pjesëmarrjes së Ballkanit në Ligën e Konferencës.

Gjilanasit janë treguar ekip më i fortë se kampionët në fuqi të Kosovës, duke arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.

Ishte skuadra nga Suhareka, e cila kaloi e para në epërsi, kur në minutën e shtatë të ndeshjes, Bajram Jashanica e shfrytëzoi një tollovi në zonën e Dritës dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 0-1.

Vendasit u rikthyen në lojën në minutën e 29-të. Muharrem Jashari e shërbeu për mrekulli Almir Ajzerajn i cili me kokë asistoi deri te Blend Baftiu që nga afërsia realizoi për 1-1, derisa në finish të pjesës së parë Blerim Krasniqi me një gol të bukur e kaloi Dritën në epërsi prej 2-1, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Pjesa e dytë nuk prodhoi gola të tjerë dhe Drita mori maksimumin nga kjo ndeshje e rëndësishme duke e bërë edhe më të zjarrtë garën për titull të kampionit në Kosovës.

Pas kësaj fitore, Drita renditet në vendin e dytë me 34 pikë, pesë më pak se lideri i tabelës, Ballkani.

Share This