
Drita e Ballkani startojnë me fitore
Lideri i tabelës, Drita e ka nisur me fitore pjesën e dytë të garave në Superligën e Kosovës në futboll.
Gjilanasit para tifozëve të tyre mundën Malishevën, me rezultat 2-0, ndeshje kjo e luajtur të premten në kuadër të javës së 19-të.
Skuadra e Dritës bëri paraqitje më të mirë se skuadra mike, anipse pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gol.
Bardhëkaltrit nga Gjilanin në fraksionin e dytë të kësaj sfidë ia dolën të shënojnë dy gola përmes Besnik Krasniqit në minutën e 61-të dhe 78-të.
Pas kësaj fitore, Drita forcon kreun e tabelës me 43 pikë, kurse, Malisheva zë vendin e tretë me 30 sosh.
Me fitore stinorin pranveror e ka nisur edhe Ballkani që në Suharekë mundi Dukagjinin, me rezultat 1-0.
Kampionët në fuqi u desh të djersitën goxha shumë për të mposhtur klinasit, madje, goli i fitores për skuadrën nga Suhareka erdhi në finish të ndeshjes më anë të Sunday Adetunji (90+5’).
Ballkani tani ka 36 pikë në pozitën e dytë, derisa Dukagjini renditet shtata me 21 sosh.