Drita bën hapin e madh për kualifikim, mposht Breidablik në Islandë
Nënkampioni i Kosovës Drita ka fituar me rezultat të ngushtë në përballjen e parë ndaj skuadrës islandeze Breidablik.
“Intelektualët” triumfuan me rezultat të ngushtë 1:2, sfidë që ishte shumë e hapur nga fillimi.
Pas vetëm tre minutave lojë, Arb Manaj mori një asistim perfekt nga Albert Dabiqaj për t’i dhënë Dritës epërsinë.
Ndërsa, mysafirët e dyfishuan rezultatin përmes një solo vrapimi të Veton Tushajt, i cili e finalizoi për mrekulli goditjen pas një tjetër asistimi të Dabiqajt (23’).
Në pjesën e dytë, vendasit ishin më kërkues duke pasur rastet më të mira.
Ishte Thorvaldsson që e ngushtoi rezultatin pas një asistimi të Gunnalaugsson (71’).
Pas kësaj, Breidablik u bë edhe më agresiv duke krijuar raste të njëpasnjëshme, por që iu mungoi finalizimi.
Situata në fund për Dritën u bë më problematike me Besnik Krasniqin që mori kartonin e dytë të verdhë dhe si pasojë u përjashtua nga loja.
Por, ekipi kosovar arriti të mbrohej deri në fund për ta ruajtur këtë fitore shumë të rëndësishme, që iu ndihmon t’iu afrohen kualifikimit tutje.
Drita tani do ta sigurojë biletën për në fazën tjetër në Kosovë, më saktësisht në stadiumin “Zahir Pajaziti” pas një jave.