Drejtuesit e Romës i plotësojnë dëshirën Mourinhos, transferojnë talentin e Juventus
Trajneri i Romës, Jose Mourinhos prej kohësh i kishte vendosur drejtuesve të klubit detyrën për të transferuar një mbrojtës në këtë “dritare” të merkatos dimërore.
Me Smalling të dëmtuar, Kumbullën të sapo rikthyer nga dëmtimi dhe jo në formën ideale si dhe me Ndicka që largohet për në Kupën e Afrikës, alternativat në repartin difensiv të kryeqytetasve po “shteronin” dita-ditës.
Në këtë formë, Roma lëvizi shpejt dhe tashmë ia ka dalë të gjejë akordin me Juventusin për të transferuar në Olimpico, të riun Dean Huijsen. 18-vjeçari nga Holanda do të kalojë në Romë falë formulës së huazimit pa të drejtën e blerjes së kartonit dhe do të qëndrojë me verdhekuqtë deri në qershor.
Para se të kryhen të gjitha procedurat e mbrojtësi të niset për në kryeqytet, Huijsen do të firmosë rinovimin e kontratës me Juventusin.
Një kontratë që do ta mbajë të lidhur me bardhezinjtë deri në vitin 2028.
Huijsen pritet të gjejë më shumë hapësira në radhët e verdhekuqve e si rrjedhojë të fitojë eksperiencë nën drejtimin e një eksperti si Jose Mourinho.