Drejtori i Policisë shkon në veri

Drejtori i Policisë shkon në veri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm Fehmi Hoti dhe atasheun Kimberly Riffe, DOJ-ICITAP pranë Ambasadës Amerikane vizituan veriun e vendit, gjegjësisht njësitet policore të Policisë Kufitare dhe ata të rendit publik në Jarinje, Leposaviq, Bërnjak dhe në Banjskë ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Drejtori Hoxha bisedoi me zyrtaret policorë të cilët ishin në kryerje të detyrave, duke u interesuar për gjendjen e përgjithshme, sfidat, vështirësitë dhe realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore në atë pjesë të vendit.

Ndër të tjera, në takimet me zyrtarët policorë, drejtori i përgëzoi ata për punën e angazhimin në kryerje të detyrave duke ofruar siguri për të gjithë pa dallime etnike dhe sundim të rendit e ligjit.

Po ashtu, delegacioni nga Prishtina, u prit edhe nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Policore Mitrovicë Veri, Veton Elshani, i cili ka njoftuar eprorët e PK-së rreth gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri të vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë me bashkëpunëtorë vizitoi dhe vuri kurorë me lule, në vendin e rënies së heroit të Kosovës Enver Zymberit.

Share This