Dortmund thyen PSG-n midis ‘Parkut të Princave’, prek finalen e madhe të Champions-it
Borussia Dortmund ka qenë befasia më e bukur e Ligës së Kampionëve, duke mbërritur deri në finale.
Pavarësisht që asnjëherë s’u panë si favorit, “Verdhëzinjtë” arritën ta eliminojnë Atletico Madridin në çerekfinale, ndërsa të mërkurën e dërguan në shtëpi edhe gjigantin francez Paris Saint-Germain.
Pas fitores 1:0 në Gjermani, Dortmund triumfoi me rezultat minimal 0:1 edhe në përballjen kthyese për të siguruar biletën që të shpie në “Wembley”.
PSG e nisi më mirë duke pasur më shumë posedimin mirëpo që Dortmund kishte dy raste më të mira. Fillimisht me Ryserson, e pastaj me Adeyemin por që Donarumma bëri super pritje që t’ia mohojë golin.
“Parisienët” e kishin rastin e artë për të kaluar në epërsi me mesfushorin Warren Zaire-Emery, por ky i fundit dështoi ta dërgonte topin në portën e zbrazur.
E kur s’shënon atëherë e pëson. Ishte Mats Hummels që realizoi me kookë pas harkimi të Julian Brandt për të heshtur të gjithë tifozët në “Parkun e Princave” (50’).
PSG pas kësaj tentoi të këndellet me Ramos dhe Mendes, mirëpo që dështuan sërish t’i finalizonin rastet.
Dortmund në fakt shënoi sërish përmes Hummels, mirëpo u anulua shkaku i pozitës jashtë loje.
PSG deri në fund kishte edhe disa raste me Kylian Mbappen, por traversa e shpëtoi skuadrën gjermane dhe kësisoj përshëndeten me kompeticionin më të rëndësishëm në botë.
Tani, Dortmund bëhet finalisti i parë i Ligës së Kampionëve ndërsa kundërshtarin do ta mësojë pasi të përfundojë gjysmëfinalja tjetër Real Madrid – Bayern Munich.