Donnarumma për ndeshjen me kuqezinjtë: Shqipëria, rrezik i fshehur
Portieri i kombëtares së Italisë, Gianluigi Donnarumma ka folur në konferencën për media para ndeshjes së nesërme me Shqipërinë.
Portieri Donnarumma u shpreh për Sky Sport se, “fryma do të jetë ajo e tre viteve më parë: le të përpiqemi t’i rikthejmë ato netë magjike. Shqipëria është sfida më e paparashikueshme, një rrezik i fshehur, duhet të jemi në 100 për qindshin tonë. Kombëtarja jonë është një grup i ri, por të rinjtë nuk do të kenë problem të përshtaten. Të kesh Buffon këtu ka një efekt të jashtëzakonshëm”.
“Ata janë të shpejtë, bëjnë një lojë të mirë dhe nesër nuk mund të luajmë me 79-80%, por ne do të duhet të jemi në 100%. Ata mund të na dëmtojnë në kundërsulm. Loja mund të fitohet edhe në minutën e fundit”, u shpreh portieri italian.
Më tej, Donnarumma foli për Kombëtaren kuqezi, ku tha që ka shumë lojtarë të shkëlqyer, ndërsa tregoi se çka duhet të bëjë Italia nesër.
“Shqipëria ka shumë lojtarë individualë të shkëlqyer. Duhet të bëjmë që të qëndrojmë të shtrënguar dhe kompaktë dhe të mos u lëmë hapësirë për të fituar në kundërsulm. Ne mund ta fitojmë atë në minutën e parë ose të fundit – ne vetëm duhet të jemi të durueshëm dhe të mbajmë formën tonë”, tha Donnarumma.
Për fund, Donnarumma tregoi se çfarë do të nënkuptonte fitorja nesër për Italinë.
“Nëse fitojmë nesër mbrëma do të jetë një hap i madh drejt kualifikimit. Fitorja do të na vendosë në një pozicion të fortë, po të mos fitojmë do të na vinte nën presion”, tha Donnarumma.
Italia dhe Shqipëria nisin nesër aventurën në Kampionatin Evropian EURO2024, duke u përballur me njëra-tjetrën duke nisur nga ora 21:00, në Signal Iduna Park të Dortmundit. /atsh/