
Donald Trump: Po evakuojmë personelin amerikan nga Lindja e Mesme. Irani, vend i rrezikshëm
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se personeli amerikan po evakuohet nga vendet në Lindjen e Mesme në mes të tensioneve të përshkallëzuara me Iranin pasi sipas tij, “mund të jetë një vend i rrezikshëm”.
Duke folur me gazetarët përpara se të merrte pjesë në natën e hapjes së muzikalit fitues të çmimeve Les Miserables në Qendrën Kennedy, Trump e pranoi tërheqjen duke mbajtur qëndrimin e tij të vendosur ndaj ambicieve bërthamore të Iranit.
“Epo, ata po zhvendosen sepse mund të jetë një vend i rrezikshëm. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne kemi dhënë njoftimin për t’u larguar” tha ai kur u pyet për raportet e zhvendosjeve të personelit.
I presionuar për uljen e tensioneve rajonale, ai përsëriti qëndrimin e tij mbi programin bërthamor të Iranit.
“Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Shumë e thjeshtë. Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Ne nuk do ta lejojmë këtë” tha ai.
Departamenti i Shtetit autorizoi të mërkurën largimin e personelit nga Iraku pas vlerësimeve emergjente në ambasadat brenda distancës goditëse të aseteve iraniane në Lindjen e Mesme, Evropën Lindore dhe Afrikën Veriore.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për sulmet e mundshme izraelite mbi objektet bërthamore iraniane pa pëlqimin e Uashingtonit, shkruante Ëashington Post.
“Presidenti Trump është i përkushtuar për t’i mbajtur amerikanët të sigurt, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Bazuar në analizat tona të fundit, ne vendosëm të reduktojmë misionin tonë në Irak”, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit.
Nuk dihet deri më tani nëse shtrirja e evakuimit përfshin të gjithë stafin diplomatik të SHBA.
Më herët të mërkurën, ministri iranian i Mbrojtjes Aziz Nasirzadeh kërcënoi se do të godasë bazat amerikane në rajon nëse shpërthen një konflikt midis dy vendeve për programin bërthamor të Teheranit.
Ai paralajmëroi se të gjitha bazat amerikane në rajon janë brenda mundësive të raketave iraniane. Irani do t’i “shënjestrojë ata në vendet e tyre pritëse pa hezitim”, tha ai.
Kërcënimi i tij erdhi një ditë pasi gjenerali Michael Kurilla, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), dëshmoi para Kongresit, duke thënë se ai i paraqiti Trump-it një “gamë opsionesh” për të parandaluar Iranin të merrte armë bërthamore. /rtsh/