Dobruna në Speciale: Ka kaluar kohë e gjatë, nuk më kujtohen të gjitha
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshminë Sokol Dobruna, që është dëshmitari i 112 i Prokurorisë së Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ai po dëshmon përmes video-lidhjes, në praninë e avokatit të tij, Arianit Koci.
Dëshmia e Dobrunës ka filluar me pyetjet nga ana e Prokurorisë për takimin që këto dy palë kanë zhvilluar javën e kaluar, për çka dëshmitari tha se nuk i kujtohen detaje për çka kanë biseduar.
Prokurori John Capin e pyeti Dobrunën nëse i kujtohet që janë takuar në nëntor të vitit të kaluar dhe se aty ishte edhe avokati Koci, për çka dëshmitari tha se nuk e mban mend.
Ai u ankua se ka probleme me kujtesë, derisa refuzoi të jap dëshminë në seancë private.
Dobruna pati kritika për prokurorin.
“Ka kaluar kohë e gjatë, ju po kërkoni prej meje edhe pse është e qartë se unë jam keq ka harresa, nuk po e kuptoj këtë qasje të zotit prokuror absolutisht, unë nuk jam në gjendje me i kujtua të gjitha”, tha Dobruna.
Tutje, prokuroria i bëri pyetje për takimin që kishte pasur me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin gjatë vitit 1998.
Ndryshe nga herët e kaluara, trupi gjykues gjatë pjesës së parë të seancës bëri pauza të shkurta disa herë, derisa séance kohë pas kohë kalonte në private. Ndërkohë, sipas trupit gjykues, dëshmia e Dobrunës parashihet që të zgjas dy ditë. /rtk/