“Do të vij në Tiranë për këshilla dhe not”, “si ta bëjmë Brukselin të notojë..” – Rama kritikikon BE-në me ironi, njësoj ia kthen zyrtarja e lartë

“Do të vij në Tiranë për këshilla dhe not”, “si ta bëjmë Brukselin të notojë..” – Rama kritikikon BE-në me ironi, njësoj ia kthen zyrtarja e lartë

Komisionarja për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Marta Kos, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski ishin pjesë e një paneli në Konferencën e Mynihut ku u diskutua për zgjerimin e unionit.

Rama pati shumë kritika për BE-në, për të cilin tha se “prodhon çdo ditë rregulla të reja”.

“As lufta, as kriza, as ndryshimet klimatike, as kërcënimi bërthamor nuk e ndryshojnë mënyrën si funksionon kjo orë. Është e përkryer. Çdo ditë, një rregullore e re del në dritë”, tha ai, duke ironizuar me mënyrën se si merren vendimet në Bruksel, edhe për çështjen e zgjerimit.

“Sot, hapja e një llogarie bankare në Europë është bërë më e komplikuar se blerja e një shtëpie”, tha ai ndër tjerash.

Zgjerimi, ai tha se është trajtuar nga Brukseli “si një lloj bujarie, si një vizion fisnik i vendeve më të pasura të kontinentit ndaj atyre më të varfra”.

“Po ju them, sot BE-ja ka më shumë nevojë për ne sesa ne për BE-në. Besomëni për këtë. Dhe kur them ‘ne’, nuk flas vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjitha vendet që ende nuk janë pjesë e Unionit” tha Rama.

Marta Kos, tha se është e lumtur që “Shqipëria ende dëshiron të bëhet anëtare, pavarësisht kritikave për Bashkimin Europian”.

“Çfarë doni të thoni?”, ndërhyri Rama.

“Jo, këtë nuk e pranoj, sepse ne ende jemi të dashuruar me Bashkimin Europian. Ndërkohë që anëtarët e Bashkimit Europian nuk janë të dashuruar me Bashkimin Europian, ne jemi të dashuruar me Bashkimin Europian. Prandaj, duhet të na pranoni, sepse ne sjellim dashuri”, tha kryeministri i Shqipërisë. “Bashkimi Europian është gjëja më e mirë që mund t’i ketë ndodhur njerëzimit”, tha ai.

Kos tha se edhe ajo e beson këtë, duke qëndruar në nivelin pothuajse identik të ironisë. “Gjithçka që kërkoni është e përfshirë në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Europian. Ai flet për vlerat tona, për të drejtat e njeriut, për të drejtat e minoriteteve, dhe mund të vazhdoj më tej. Prandaj besoj fuqimisht se ne jemi vërtet të fuqishëm”.

“Ta kërkosh anëtarësimin është një zgjedhje. Por, pasi e merr statusin, ke disa detyrime dhe angazhime. Dhe angazhimi im është gjithashtu t’i ndihmoj vendet kandidate. Do të doja shumë që Bashkimi Europian të ishte i suksesshëm dhe që Shqipëria, Mali i Zi dhe ndoshta disa vende të tjera ta arrijnë vijën e finishit të procesit të anëtarësimit”.

Ajo tha se “me integrimin gradual, duke mundësuar tregun e brendshëm, kjo tashmë po ndodh” dhe se Shqipëria po bën punë të mirë.

Më pas, e ngacmoi Ramën duke qeshur.

“Ai zakonisht nuk është kaq kritik ndaj meje kur flasim, por mezi pres të vij në Tiranë për të marrë disa këshilla të tjera nga ju. Madje do të notoj në det nëse thoni se kjo është e nevojshme për marrëdhënie të mira me BE-në”, tha Kos.

“Ju jeni kampione olimpike në not, kjo s’është e vështirë për ju. Problemi është si ta bëjmë Brukselin të notojë”, ia ktheu Rama.

Share This