
‘Djajtë e Kuq’ synojnë talentin e Crystal Palace-s
Manchester United synon të transferojë Adam Wharton në afatin kalimtar të verës.
Mesfushori i ri i Crystal Palace ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve nga “Old Trafford”, të cilët po kërkojnë të forcojnë repartin e mesfushës me një opsion premtues për të ardhmen.
Sipas medieve britanike, “Djajtë e Kuq” prej muajsh e kanë ndjekur nga afër zhvillimin e tij, të bindur se ai mund të jetë një pjesë kyçe në skemat e tyre për sezonin e ardhshëm.
21 vjeçari, i cili kap shifrën prej 80 milionë eurosh, iu bashkua Crystal Palace në shkurt të vitit 2024 pasi shkëlqeu me Blackburn Rovers.
Ai u përshtat menjëherë, duke fituar shpejt një vend në formacionin titullar të Eagles.
Megjithatë, një lëndim në ijë që kërkoi operacion ndikoi në vazhdimësinë e tij, duke vonuar progresin e mëtejshëm. Tani që është rikuperuar, pritet të luajë një rol vendimtar në fazën përmbyllëse të sezonit.