Ditë festive për Sokol Cikalleshin, FSHF i bën urimin e veçantë
Sokol Cikalleshi ishte një nga mungesat e mëdha të Shqipërisë në Euro 2024. Sidomos prej faktit që sulmuesi nga Kavaja i luajti si titullar të gjithë takimet e fazës eliminatore.
34-vjeçari, pjesë e Konyasporit në Superligën turke – kampionat që prej sezonit të ardhshëm do të transmetohet edhe në SuperSport/DigitAlb vendosi të tërhiqej nga ekipi kombëtar.
Pa bërë polemika si gjithmonë, Cikalleshi shkroi këto rreshta në njoftimin e lamtumirës nga Kombëtarja vetëm një ditë pasi Sylvinho publikoi listën e lojtarëve që përfaqësuan Shqipërinë në Gjermani 2024.
“Fundi i një rrugëtimi:
Rrugëtimet janë aq të bukura, me ulje-ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve, nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.
Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit.
Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë është sa privilegj, aq edhe përgjegjësi, e cila më ka bërë të përulur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajë për të vazhduar e, pa dyshim, ndaj çdokujt që brohoriti për mua”.
Ndërkohë, me anë të një postimi në faqen zyrtare, FSHF ka uruar sulmuesin për 34-vjetorin e lindjes.
“60 ndeshje me fanellën kuqezi, 13 gola të shënuar, Sokol Cikalleshi feston sot ditëlindjen dhe familja e madhe e futbollit shqiptar i uron sulmuesit suksese në çdo aspekt të jetës!
Gëzuar ditëlindjen Sokol!”, lexohet në komentin e Federatës së Futbollit Shqiptar. Urim të cilit i bashkohen të gjithë tifozët shqiptarë.