Dita Ndërkombëtare e Familjeve

Dita Ndërkombëtare e Familjeve

Sot është Dita Ndërkombëtare e Familjeve. Organizata e Kombeve të Bashkuara, në faqen zyrtare online shkruan se tema e vitit 2025 është “Politikat e orientuara nga familja për zhvillim të qëndrueshëm: Drejt Samitit të Dytë Botëror për Zhvillimin Social”.

Samiti i Dytë Botëror për Zhvillimin Social do të mbahet në Doha të Katarit (nëntor 2025). Ai paraqet një mundësi vendimtare për të forcuar angazhimet për çrrënjosjen e varfërisë, punën e denjë dhe përfshirjen sociale. Samiti bazohet në Deklaratën e Kopenhagës të vitit 1995, e cila njohu familjet si themelin e shoqërisë dhe nënvizoi nevojën për ekuilibër punë-familje dhe partneritete të barabarta brenda familjeve.

Dita Ndërkombëtare e Familjeve do të nxjerrë në pah njohuritë kryesore nga iniciativat kombëtare dhe rajonale, duke theksuar rolin e familjeve në arritjen e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme vendosi përmes një rezolute që 15 maji i çdo viti duhet të festohet si Dita Ndërkombëtare e Familjeve. Kjo ditë ofron një mundësi për të nxitur ndërgjegjësimin për çështjet që kanë të bëjnë me familjet dhe për të rritur njohuritë për proceset sociale, ekonomike dhe demografike që prekin familjet.

Më 25 shtator 2015, 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara miratuan njëzëri Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, një grup prej 17 qëllimesh që synojnë eliminimin e varfërisë, diskriminimit, abuzimit dhe vdekjeve të parandalueshme, adresimin e shkatërrimit të mjedisit dhe fillimin e një epoke zhvillimi për të gjithë njerëzit, kudo. Familjet si dhe politikat e orientuara nga familja janë jetike për arritjen e shumë prej këtyre synimeve. /atsh/

Share This